Në Pogradec ka nisur zbatimi i një aksioni të gjerë për lirimin e hapësirave publike të zëna nga biznese dhe automjete të parkuara gabimisht. Operacioni, i udhëhequr nga Agjencia e Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Pogradec, synon të krijojë më shumë rregull dhe qarkullim të lirë për qytetarët dhe turistët gjatë sezonit veror.
Drejtori i kësaj agjencie, Markel Hafesllari, sqaroi se subjektet private janë paralajmëruar më herët për të liruar hapësirat, por duke qenë se shumë prej tyre nuk kanë zbatuar urdhrin, ndërhyrja është bërë e detyrueshme.
Aksioni, që do të vijojë në ditët në vijim, përfshin edhe kontrollin e subjekteve me leje, për të verifikuar nëse kanë tejkaluar kufijtë e përcaktuar në dokumentacion. Ky operacion vjen në kuadër të masave të qeverisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, me qëllim ofrimin e një ambienti të rregullt dhe të sigurt për vizitorët.



