Mbrëmjen e së shtunës, Galeria e Artit e qytetit të Pogradecit hapi dyert për ekspozitën “Nënqytetit”, një ngjarje artistike që synon të rizbulojë shtresat e zbehura dhe vendet e harruara të Pogradecit, të cilat sot nuk gjenden më në hartën e qytetit.
Në ekspozitë u shfaqën 31 vizatime, të mbështetura me fakte historike, duke i ofruar artdashësve pogradecarë dhe turistëve një udhëtim në kohë drejt identitetit kulturor të zonës.
“Ekspozita është një himn për qytetin e dikurshëm. Përmes vizatimeve, kam dashur të tregoj identitetin kulturor të Pogradecit dhe vende që sot nuk ekzistojnë më,” u shpreh piktori Anastas Kostandini.
Risia e ekspozitës qëndron në faktin se, në 31 pika të ndryshme të qytetit, janë vendosur kode QR të cilat, kur skanohen, ofrojnë informacione historike, si dhe imazhe pikturash e fotografish të vjetra, duke treguar si ka qenë Pogradeci në vitet e shkuara.
“Ky është një projekt që synon t’u japë jetë kujtimeve të qytetit dhe të krijojë një lidhje mes brezave,” tha organizatorja Ledia Kostandini.
Përveç vizatimeve, publikut iu prezantuan edhe video të vjetra të qytetit, materiale ndërtimore të objekteve historike, si dhe një koleksion fotografish nga fillimi i shekullit të kaluar. Ekspozita “Nënqytetit” do të qëndrojë e hapur për një javë për publikun.


