Ka nisur vala e dorëheqjeve të administratorëve lokalë në juglindje të vendit, pas thirrjes publike të Kryeministrit Edi Rama për largimin e tyre nga detyra.
Sipas burimeve nga pushteti vendor, të gjithë administratorët e Bashkisë Korçë, në total 7 persona, si dhe 3 administratorët e Bashkisë Kolonjë, kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarëve të bashkive përkatëse.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, dhe ai i Kolonjës, Erion Isai, e kanë konfirmuar lajmin, duke sqaruar se aktualisht nuk parashikohen ndryshime në postet e zëvendëskryetarëve.
Ndërkohë, në bashkitë e Pogradecit, Maliqit dhe Devollit, nuk janë ndërmarrë ende hapa konkretë. Përfaqësues të këtyre njësive vendore po vijojnë procesin e shqyrtimit të kuadrit ligjor, për të përcaktuar mënyrën e zbatimit të kërkesës së Kryeministrit.
Deri tani, asnjë zëvendëskryetar në bashkitë e juglindjes nuk ka dhënë dorëheqjen. Nga burime pranë Partisë Socialiste bëhet e ditur se Kryeministri Rama pritet të zhvillojë një vizitë në qarkun e Korçës ditët në vijim, për të ndjekur nga afër procesin e zbatimit të vendimit dhe reformës administrative.


