Nga Tonin Frroku
Skuadra e volejbollit të femrave e Skënderbeut është, pa dyshim, një ekip i talenteve. Mjafton të përmendim faktin se këtë vit korçarët janë shpallur kampionë kombëtarë si në kategorinë U-18, ashtu edhe në U-20 për vajza, një tregues i qartë i një baze të pasur dhe premtuese në të rinjtë.
Në krahasim me ekipet e tjera, diferenca është e dukshme: shumica e skuadrave rivale mbështeten ende te lojtare të huaja apo shqiptare me moshë të madhe, ndërsa Skënderbeu ka ndërtuar një bërthamë të bazuar te e ardhmja.
Por, a mjafton kjo për të pretenduar titullin kampion që tani?
Sipas mendimit tim, jo. Të paktën jo këtë sezon, për shkak të një konkurrencë shumë më të fortë. Pogradeci, Dinamo dhe Tirana janë forcuar ndjeshëm dhe vijnë me objektiva të qarta dhe me skuadra të konsoliduara, që kombinojnë lojtare shqiptare dhe të huaja.
Skënderbeu, edhe pse i mbushur me talente, do ta ketë të vështirë të rivalizojë menjëherë, pasi i mungojnë lojtaret shqiptare të nivelit të lartë.
Megjithatë, kjo nuk e zbeh faktin që Skënderbeu mund të jetë një pretendent serioz në të ardhmen e afërt, ndoshta që sezonin tjetër. Nëse ky grup lojtareve të reja ruhet, rritet dhe mbështetet siç duhet, atëherë korçarët do të kenë potencialin jo vetëm të pretendojnë tituj, por edhe të dominojnë volejbollin e femrave për vite me radhë.
Për ta bërë këtë të mundur, nevojiten ndryshime të menjëhershme:
- Një politikë e qartë dhe e strukturuar sportive, me objektiva afatgjatë, jo thjesht pjesëmarrje sezonale.
- Kontrata ligjore të rregullta, në përputhje me kërkesat e FSHV-së, dhe jo marrëveshje të përkohshme e të paqëndrueshme, të cilat rezultojnë të pavlera sapo shfaqen vështirësitë. Kjo na ka kushtuar shumë këtë sezon.
- Mbrojtje e talenteve, pasi pikërisht këtë pragsezoni, Skënderbeut i janë larguar të gjitha titullaret, një humbje që vë seriozisht në pikëpyetje qëndrueshmërinë e projektit.
Nëse vazhdohet me këtë logjikë të vjetër, pa sistem, pa siguri dhe pa vizion, atëherë edhe arritjet e moshave të reja do të mbeten thjesht statistika të bukura në letër.
Skënderbeu ka bazën për t’u shpallur kampion, por titujt nuk fitohen vetëm me pasion. Ata fitohen me strukturë, përkushtim dhe seriozitet. Dhe mbi të gjitha, me respekt për vajzat që po sjellin këto rezultate.
Unë besoj se do t’ia dalim. Sepse Skënderbeu është historia e volejbollit të femrave.


