Në Lapidarin e Dëshmorëve në Pojskë u zhvillua sot ceremonia përkujtimore kushtuar 82-vjetorit të rënies së bijve dhe bijave të kësaj zone, që sakrifikuan jetën për atdheun gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në këtë aktivitet, të mbajtur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor, familjarëve të dëshmorëve dhe banorëve të zonës, u shprehën nderimi dhe mirënjohja për veprën heroike të dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Gjatë ceremonisë, u përkujtuan me respekt emrat e dëshmorëve të Pojskës: Reshit Çollaku, Siri Kodra, Spiro Gjiknuri, Koli Gusho, Ali Arapi, Dilo Nezha, Ptoleme Xhuvani, Arif Kuka, Petrit Blloshmi dhe Isuf Leka.
Pjesëmarrësit vunë kurora me lule dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të sakrificës së tyre sublime, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë historike dhe idealeve për një Shqipëri të lirë e demokratike.
“Lavdi përjetë dëshmorëve të Pojskës dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit,” u tha në mesazhet përshëndetëse gjatë ceremonisë.



