Nga Tonin Frroku
Nga pista si kampion, te shkallët e fushës si trajner, për të mos u ndalur kurrë. Kjo është historia e Gjergji Burdës, një prej emrave më të spikatur të atletikës shqiptare, i cili prej më shumë se katër dekadash ka qenë në shërbim të sportit të pastër dhe formimit të kampionëve.
Burda nisi rrugëtimin e tij sportiv si atlet në vitin 1968, kur fitoi titullin kampion për të rinj, një arritje që shënoi fillesën e një pasioni të gjatë e të pandërprerë për sportin. Por kulmi i ndikimit të tij në atletikën shqiptare vjen pas vitit 1982, kur ai merr rolin e trajnerit dhe nis të formojë me durim, përkushtim e dije të thellë breza të tërë sportistësh.
Nën drejtimin e Gjergji Burdës kanë dalë atletë që kanë shkëlqyer në nivel kombëtar, dhe që kanë përfaqësuar me dinjitet atletikën shqiptare në gara të rëndësishme, si Alma Thano, Kastriot Sulçe, Kristaq Lipe, Mariela Kaciroti, Ana Burda, Maria Stillo dhe Livia Topi.
Këta emra nuk janë thjesht statistika sporti. Janë mishërimi i një metodologjie të ngritur mbi përkushtimin, vëmendjen ndaj detajeve dhe mbi të gjitha një ndjeshmëri njerëzore që shkon përtej rezultateve të një kronike.
Në rrugën e tij, Burda ka pasur fatin të punojë e të bashkëpunojë me figura që kanë bërë epokë në atletikën shqiptare, si Pirro Kasati, Tomi Stafanllari, Petrika Jakova, Kostandin Peço dhe Kristaq Titili, të cilët kanë qenë bashkëudhëtarë dhe bashkëpunëtorë në ngritjen e një kulture sportive që i ka rezistuar kohës.
Ndryshe nga modelet moderne ku roli i trajnerit shfaqet shpesh në forma të sipërfaqshme, Gjergji Burda është përfaqësues i brezit që e sheh atletikën si mision shoqëror dhe edukativ. Për të, pista nuk është vetëm vendi ku numërohen sekondat, por ku formohen karakteret, ku mësohet disiplina, etika, respekti për garën dhe për kundërshtarin.
Në një kohë kur sporti shpesh sfidohet nga komercializimi, mungesa e mbështetjes apo nënvlerësimi i trajnerëve që punojnë me të rinjtë, figura si Gjergji Burda janë monumente gjallë të qëndrueshmërisë dhe pasionit afatgjatë. Ai nuk ka qenë thjesht një trajner që ndjek metra dhe kronometra. Ai është një formues, një mësues i karakterit, një udhërrëfyes që ka ditur të japë shembullin më të mirë: kontribut pa zhurmë, por me efekt të gjatë në kohë.
Gjergji Burda nuk është një histori që duhet thënë vetëm në përvjetorë. Ai është një emër që duhet përmendur sa herë flasim për themelin e sportit shqiptar, edhe tani që është 73 vjeç.


