Është hedhur këtë të enjte shorti i kampionatit të Kategorisë së Parë, duke zbardhur kalendarin e javës së parë për sezonin e ri, që nis më 23 gusht.
Skënderbeu, me synimin e qartë për rikthim në elitën e futbollit shqiptar, do të hapë sezonin në stadiumin e vet përballë Burrelit, në një sfidë me histori dhe peshë të veçantë.
Ndërkohë, Pogradeci, një tjetër pretendente serioze për ngjitjen në Superiore, do të presë Lushnjën në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, në një duel që pritet me mjaft interes nga tifozët liqenorë.
Kalendari i javës së parë sjell edhe përballje të tjera interesante:
- Iliria do të presë Laçin,
- Kukësi përballet në shtëpi me Apoloninë,
- Luftëtari ndeshet me Korabin në Gjirokastër,
- ndërsa Besa e Kavajës do të përballet me Kastriotin.
Sezoni 2025–2026 pritet të jetë një nga më të konkurrueshmit e viteve të fundit, me disa klube që kanë investuar ndjeshëm dhe e shohin ngjitjen në Superiore si objektiv konkret.


