Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në kontinentin europian po ndodh në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit. Gërmimet e kryera në zonën e Buqezës kanë nxjerrë në dritë mbetje të një vendbanimi të lashtë palafit, i cili sipas arkeologëve daton nga 8000 deri në 4000 vjet para erës sonë.
Studiuesit nga Universiteti i Bernës në Zvicër, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Arkeologjisë dhe Institutin e Kulturës Popullore dhe Trashëgimisë Kulturore, kanë konfirmuar se ky është vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë, duke e lënë pas në kohë zbulime të ngjashme në Itali apo Spanjë.
“Në Lin kemi të bëjmë me një vendbanim që është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo tjetër i njohur më parë në Europën Jugore,” theksoi prof. Albert Hafner, udhëheqës i projektit arkeologjik nga Universiteti i Bernës.
Strukturat prej druri të ruajtura nën ujë dhe gjetjet e shumta tregojnë për një komunitet që kishte zhvilluar një mënyrë jetese të qëndrueshme, duke shfrytëzuar me zgjuarsi burimet natyrore përmes bujqësisë, blegtorisë, peshkimit dhe gjuetisë.
Zbulimi ka marrë edhe vlerësimin institucional, duke u shpallur zonë arkeologjike nënujore nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, falë bashkëpunimit të ngushtë me IKTK-në.
Ky zbulim jo vetëm që e pasuron historinë e hershme të Europës, por është edhe një arsye më shumë për të qenë krenarë për thesaret që mbart toka shqiptare. Lin, i njohur për bukuritë e tij natyrore, po kthehet tashmë edhe në një pikë referimi për trashëgiminë arkeologjike të rajonit.


