Vatra të shumta zjarri janë shfaqur në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe kullota.
Zjarri fillimisht ka shpërthyer pranë fshatit Vërnik, duke rrezikuar banesat e zonës. Falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse, flakët janë izoluar në këtë segment, duke shmangur dëmet në banesa.
Megjithatë, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe prej disa hektarësh. Terreni i thyer malor vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Sipas nënprefektit të Devollit, Henrik Rusi, mbi 50 efektivë nga shërbimet zjarrfikëse të bashkive Korçë, Devoll dhe Maliq janë në terren për të luftuar flakët. Në ndihmë priten të vijnë dhe forcat e emergjencave civile dhe shërbimit pyjor.
“Nuk përjashtohet mundësia për ndërhyrje nga ajri. Jemi në kontakt edhe me autoritetet greke, pasi zjarri po i afrohet kufirit dhe ekziston rreziku të përhapet në territorin fqinj.”
Kjo është vatra e dytë e madhe zjarri e regjistruar në juglindje të vendit gjatë 24 orëve të fundit. Më herët, një tjetër zjarr u raportua mbi fshatin Dishnicë.
Aktualisht, përqëndrimi kryesor i forcave zjarrfikëse është pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës dhe stacionit të policisë kufitare, për të shmangur përhapjen drejt territorit grek dhe dëmeve të tjera të mundshme.


