Një vatër zjarri e aktivizuar rreth 10 kilometra larg pikës së kalimit kufitar të Goricës ka sjellë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes në këtë doganë, që lidh territorin e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Shqipërisë.
Për afro një orë gjatë mesditës, autoritetet kufitare të të dyja vendeve ndaluan plotësisht qarkullimin e mjeteve, ndërsa së fundmi është lejuar vetëm kalimi i automjeteve të vogla. Lëvizja për mjetet e tonazhit të rëndë mbetet e ndaluar për shkak të rrezikut të lartë që paraqet zjarri, i cili ka përfshirë të dy anët e rrugës në territorin maqedonas.
Sipas burimeve zyrtare, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, në varësi të përhapjes së flakëve, pritet të ndërhyjnë edhe forcat zjarrfikëse nga bashkia e Pustecit për të ndihmuar në izolimin e zjarrit dhe garantimin e sigurisë në aksin rrugor kufitar.


