Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Korçës organizoi këtë fundjavë një aktivitet përkujtimor në nderim të 105-vjetorit të lindjes së Sami Dangëllisë, një prej figurave më të njohura të rezistencës antikomuniste në Shqipëri.
Në prani të familjarëve, ish-të përndjekurve politikë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, u rikujtua jeta dhe qëndresa e jashtëzakonshme e Dangëllisë, i cili u burgos për dekada nga regjimi komunist, por nuk u përkul kurrë para dhunës dhe torturës.
Ethem Fezollari, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, e cilësoi Sami Dangëllinë si “Mandela e burgjeve shqiptare”, duke theksuar integritetin dhe idealet për të cilat ai qëndroi deri në fund.
“Sami Dangëllia është simboli i një epoke vuajtjeje, por edhe i krenarisë kombëtare. Ai përfaqëson atë Shqipëri që nuk u gjunjëzua kurrë,” – u shpreh Fezollari gjatë fjalës së tij.
Edhe Destan Dangëllia, nipi i Samiut, u ndal në përmasën njerëzore dhe historike të figurës së tij, duke e cilësuar si një nga shtyllat morale të burgjeve politike në vend.
Aktiviteti u shoqërua me referime historike, dokumentarë dhe kujtime nga bashkëvuajtës të tij, duke kthyer në vëmendje nevojën për të mos harruar historinë dhe për të nderuar ata që sakrifikuan gjithçka për liri dhe dinjitet.



