Skënderbeu do të zbresë sërish në fushë këtë fundjavë për të zhvilluar ndeshjen e dytë miqësore të fazës përgatitore verore. Kundërshtari i radhës për bardhekuqtë do të jetë Besa e Kavajës, ndërsa sfida do të luhet të shtunën, më datë 2 gusht.
Pas disfatës 0-4 ndaj Strugës në testin e parë, një rezultat që zhgënjeu tifozët dhe sportdashësit në juglindje, trajneri dhe stafi teknik kërkojnë përgjigje pozitive nga skuadra në këtë duel të radhës.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit të parë, faza përgatitore shërben për të testuar gjendjen fizike dhe taktike të skuadrës. Deri më 23 gusht, kur parashikohet nisja e kampionatit të Kategorisë së Parë, Skënderbeu ka kohë për të përmirësuar elementët e lojës dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues.


