Pronarët e lokaleve në pedonalen e qytetit të Korçës vijojnë çmontimin e strukturave metalike të përkohshme dhe elementeve rrethues të bizneseve të tyre. Shumica e subjekteve kanë përfunduar procesin, ndërsa pritet që këtë hap ta ndërmarrin gjatë ditës edhe disa nga bizneset që operojnë përgjatë rrugëve kryesore të qytetit.
Sipas burimeve nga Bashkia e Korçës, pronarët kanë afat deri të shtunën për të kryer çmontimin në mënyrë vullnetare, përndryshe do të ndërhyhet me mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit. Ndërkohë, operacioni për lirimin e hapësirave publike vijon paralelisht edhe në lagjet periferike të qytetit.


