Bashkia Korçë ka ndërmarrë një hap konkret drejt rritjes së aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, duke shtuar numrin e vendparkimeve të dedikuara në disa prej zonave më të rëndësishme të qytetit.
Këto hapësira të reja janë vendosur pranë institucioneve publike, qendrave shëndetësore dhe pikave kryesore të shërbimit, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen dhe qasjen në shërbime thelbësore për këtë kategori qytetarësh.
Sipas bashkisë, vendparkimet janë projektuar për të qenë sa më të përshtatshme dhe të sigurta, duke respektuar standardet dhe duke pasur si qëllim dinjitetin dhe të drejtën për lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët.
“Po ndërtojmë një qytet më të aksesueshëm dhe gjithëpërfshirës për çdo banor të Korçës”, thuhet në njoftimin e institucionit lokal.
Ky investim përfaqëson një hap përpara drejt barazisë dhe respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.


