Një incident i rëndë ka ndodhur në një festë familjare në restorantin “Grand Events” në fshatin Shkabaj, pranë aksit rrugor Prishtinë–Mitrovicë, ku këngëtari i njohur Shpat Kasapi dhe vëllai i tij u dhunuan fizikisht nga disa persona.
Në konflikt u përfshi edhe dhëndri i dasmës, ku Kasapi ishte i ftuar për të kënduar. Sipas burimeve, sherri dyshohet të ketë nisur pas vonesës së këngëtarit në skenë, ndërsa disa informacione jozyrtare thonë se ai kishte mbërritur në gjendje të dehur.
Situata u përshkallëzua dhe dhëndri së bashku me disa të tjerë ushtruan dhunë ndaj Kasapit dhe vëllait të tij, duke i goditur me forcë.
Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për ngjarjen; njëri prej tyre ndodhet në paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.


