Fshati i lashtë i Linit, një nga zonat më të vjetra të Europës, do të kthehet për tre ditë në qendër të festës, traditës dhe kulturës shqiptare. Më 14, 15 dhe 16 gusht, Mozaiku Paleokristian i Linit do të presë vizitorë nga gjithë vendi e më gjerë, në edicionin e tretë të “Lin Festival”.
Ky aktivitet sjell një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje, ku e shkuara dhe e tashmja ndërthuren përmes performancave të artistëve nga trevat shqiptare. Muzika, vallet, zakonet dhe trashëgimia kulturore e të parëve do të përcillen në mbrëmje festive që nisin në orën 20:00, duke ofruar një udhëtim unik në historinë dhe shpirtin e kësaj zone të rrallë.
Organizatorët ftojnë të gjithë të bëhen pjesë e këtij udhëtimi kulturor, ku Lini rrëfen historinë e tij mijëravjeçare në një festë që bashkon breza e tradita.


