Në Bashkinë Korçë u zhvillua një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, Drejtorisë së Bujqësisë dhe fermerëve të zonës, ku u prezantua skema e re e mbështetjes me grante për sektorin bujqësor.
Skema, me një fond prej 20 milionë dollarësh, synon të fuqizojë bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke u ofruar fermerëve dhe sipërmarrësve më shumë mundësi për investime.
Korça rezulton ndër qytetet me numrin më të lartë të aplikuesve dhe përfituesve nga këto programe, duke u kthyer në një model për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale. Përfitues të drejtpërdrejtë janë veçanërisht fermerët e fushës së blegtorisë dhe ata të sektorit të agroturizmit.
Një tjetër instrument mbështetës janë kreditë e buta, të cilat lehtësojnë hapjen dhe zgjerimin e aktiviteteve bujqësore.
Bashkia Korçë theksoi angazhimin e saj për të qëndruar pranë fermerëve dhe sipërmarrësve, duke i inkurajuar të përfitojnë nga këto programe që nxisin zhvillimin dhe rrisin ekonominë lokale.


