Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joanit, zhvilloi sot mbledhjen në Qendrën Sinodike të Kryepiskopatës së Tiranës dhe kreu zgjedhjet për drejtues të rinj të dy Mitropolive.
Me vota të plota, Hirësia e tij Nathanaili (Stergiu), Mitropoliti i deritanishëm i Amantias, u zgjodh Mitropolit i Gjirokastrës. Fronëzimi i tij do të zhvillohet më 20 shtator 2025, në orën 11:00, në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Gjirokastër.
Gjithashtu, me unanimitet u zgjodh Mitropolit i Korçës Hirësia e tij, Anastas (Mamaj), i cili deri më tani ka shërbyer si Episkop i Krujës. Fronëzimi i tij do të mbahet më 27 shtator 2025, në orën 11:00, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Korçë.
Dy mitropolitët e sapozgjedhur, pas votimit, lexuan Mesazhin e Madh në kishëzën e Qendrës Sinodike.
Jetëshkrimet e shkurtëra:
Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanaili (Stergiu) ka lindur në Trikala të Greqisë në vitin 1957. Me formim të gjatë akademik e shpirtëror në Athos dhe Selanik, ai ka shërbyer mbi tri dekada në Gjirokastër dhe më pas në strukturat qendrore të Kishës së Shqipërisë. Prej vitit 2016 ishte Mitropolit i Amantias.
Mitropoliti i Korçës, Anastas (Mamaj) ka lindur në Vlorë në vitin 1979. Me formim në ekonomi dhe teologji, ka pasur karrierë në sektorin bankar dhe në administratën e Kishës. U hirotonis klerik pas vitit 2018 dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme në Kryepiskopatën e Tiranës, si dhe në institucionet arsimore të Kishës.
Me këto zgjedhje, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë plotëson drejtimin e saj sinodik, duke vijuar traditën e pasur.