Sezoni turistik në Pogradec këtë vit ka zgjatur më shumë se zakonisht, pasi edhe në muajin shtator dhe më tej vijojnë të mbërrijnë turistë vendas dhe të huaj. Sipas njësive akomoduese, shtatori është mbyllur me një numër të kënaqshëm rezervimesh, ndërsa kërkesat kanë ardhur edhe për muajt tetor dhe nëntor, kryesisht nga grupe të organizuara turistësh të huaj.
“Gjatë shtatorit kemi rezervime nga turistë të huaj, ndërsa në fundjava kemi më shumë vendas. Vijnë nga Irlanda, Italia, Gjermania e Spanja. Klientët vendas janë kryesisht nga Tirana dhe Durrësi. Kemi rezervime edhe për tetorin dhe nëntorin.” – shprehet Gloria Dumbo, operatore turistike.
Ilir Gazi, një tjetër operator turistik thotë se:
“Ne nuk kemi ndjerë vështirësi për periudhën jashtë sezonit. Jemi ndjerë komodë. Kemi pasur grupe nga Gjermania, sjellë nga kompani greke. Në mos gaboj, grupet e fundit janë planifikuar për në fund të tetorit.”
Turistët gjermanë shprehen të mahnitur nga mikpritja pogradecare, ndërsa thonë se nata tradicionale shqiptare ka lënë përshtypjen më të fortë tek ata.
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Gjëja që më pëlqen më tepër është vëmendja, na trajtoni mirë, mikpritje e jashtëzakonshme.”
“Nata tradicionale shqiptare është shumë e bukur. Kostumet, këngët dhe sidomos ushqimi janë të mrekullueshme.”
Edhe nga Bashkia Pogradec konfirmohet se sezoni turistik ka qenë mjaft pozitiv. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve të akomoduar në gjashtëmujorin e parë të vitit është rritur krahasuar me vitin e kaluar, ashtu si edhe ditët e qëndrimit të tyre në qytetin liqenor. Loridela Beqari, përgjegjëse e turizmit, bën të ditur se:
“Përsa i përket sezonit turistik veror në Pogradec, ka qenë i mbarë. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i vizitorëve është rritur. Në gjashtëmujorin e parë vitin e kaluar kemi pasur rreth 70 mijë, ndërsa këtë vit 75 mijë.”
Një tjetër fluks turistësh pritet të sjellin festat e nëntorit dhe të fundvitit, ndërsa çmimet në strukturat akomoduese të Pogradecit vijojnë të mbeten të qëndrueshme.