Një ngjarje e gëzueshme dhe e rrallë ka ndodhur në Tiranë, ku një çift nga Devolli është bekuar me katërnjakë. Rozeta dhe Geraldo, të cilët jetojnë prej vitesh në kryeqytet, kanë mirëpritur ardhjen në jetë të katër fëmijëve të tyre: Roal, Alrda, Roar dhe Auro.
Lindja e tyre është rezultat i një shtatzënie krejtësisht natyrale – një mrekulli që ka sjellë emocion dhe gëzim jo vetëm në familje, por edhe te mjekët dhe stafi shëndetësor që ndoqën rastin.
Pas një muaji kujdesi intensiv në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë, vogëlushët tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe gati për t’u kthyer në shtëpi me prindërit e tyre.
Familja e re devollite është bërë simbol i gëzimit dhe bekimit të jetës, ndërsa qytetarë të shumtë kanë përcjellë urimet më të mira për prindërit dhe katër të vegjlit.
Në këtë rast, nuk mungon as mirënjohja për bluzat e bardha që me përkushtim e profesionalizëm kujdesen çdo ditë për ardhjen në jetë të mrekullive të tilla.


