Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u përcoll sot për në banesën e fundit në një ceremoni shtetërore të mbushur me dhimbje, nderim dhe respekt.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë, politikanë të të gjithë spektrit politik, trupa diplomatike, përfaqësues të besimeve fetare, si dhe figura të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe medias, për të nderuar një nga arkitektët e politikës moderne shqiptare.
Në nder të figurës së tij, qeveria shqiptare shpalli 2 nëntorin Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa në mesditë u mbajt një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Të gjitha aktivitetet publike u ndërprenë për të respektuar kujtimin e ish-kryeministrit, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Arkëmorti i Fatos Nanos u përcoll me nderime nga Garda e Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni solemne që u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër u drejtua për në varrezat e Sharrës, ku trupi i tij u vendos për pushim të përjetshëm, në një ceremoni private familjare.
Ceremonia u shoqërua me muzikë funebre nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar, duke krijuar një atmosferë të thellë respekti për figurën e njeriut që shënoi dekada të tëra të politikës shqiptare.
Në nder të ish-kryeministrit mbajtën fjalime bashkëshortja e tij Xhoana Nano, djali Sokol Nano, si dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët përshkruan figurën e tij si një njeri me vizion, guxim, dhe integritet të jashtëzakonshëm, që i dha formë rrugës së re të socialdemokracisë shqiptare.
Më 25 gusht 2023, Fatos Nano u nderua nga Kryeministri Edi Rama me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin e tij vendimtar në momentet kyçe të jetës shoqërore dhe kombëtare.
Fatos Nano do të mbahet mend si një figurë qendrore e së majtës shqiptare, themelues i Partisë Socialiste dhe një burrë shteti që i dha tonin modernizimit politik të Shqipërisë.
Në kujtesën e shqiptarëve, ai do të mbetet një lider me vizion europian, i cili besoi te liria, shteti dhe njeriu, duke lënë pas një trashëgimi të vyer politike dhe njerëzore.


