Pas emërimit të Florinda Zegullajt në detyrën e Prefektes së Qarkut të Korçës, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka ndarë një vlerësim publik për prefekten e re, duke theksuar profilin e saj profesional dhe njerëzor.
Në reagimin e tij, Peleshi shprehet se Zegullaj është e diplomuar për Financë në Poloni, doktore e shkencave dhe me disa vite përvojë pune në administratë, si edhe e angazhuar prej vitesh në mbrojtje të çështjeve të fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Florinda vjen në këtë detyrë jo vetëm me kompetencë profesionale, por edhe me një ndjeshmëri njerëzore që nuk mësohet në libra; ajo fitohet në jetë, në punë dhe në karakter”, shkruan Peleshi.
Sipas tij, ajo që e bën të veçantë këtë emërim është fakti se prefektja e re nuk vjen nga radhët e politikës dhe nuk ka qenë një figurë e ekspozuar publikisht. “Ajo ka zgjedhur të punojë me pasion, me përulësi dhe pa u interesuar të bjerë në sy”, thekson Kryetari i Kuvendit.
Peleshi nënvizon se shpesh puna e ndershme dhe e “zakonshme” nuk merr vëmendjen që meriton, ndërsa vlerat e vërteta profesionale mbeten në hije. Në këtë kontekst, ai vë në dukje rëndësinë e krijimit të më shumë hapësirave për ata që i cilëson si “kampionë të heshtur” të punës, të cilët ndërtojnë dhe shërbejnë pa bujë.
Duke iu referuar rolit të saj si përfaqësuese e Kryeministrit në Qarkun e Korçës, Peleshi shprehet se emërimi i Florinda Zegullajt është më shumë se një vendim administrativ. “Është një mesazh që tregon se ndershmëria, puna e mirë dhe karakteri mund dhe duhet të jenë arsye të mjaftueshme për të marrë përgjegjësi të mëdha”, përfundon ai, duke i uruar suksese në detyrën e re.


