Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar një rrezik të lartë për zjarre në pyje në pjesën më të madhe të vendit për ditën e nesërme, si pasojë e temperaturave që do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius dhe mungesës së plotë të reshjeve.
Sipas parashikimit zyrtar, rreziku i lartë përfshin qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër niveli i rrezikut do të jetë i moderuar, megjithëse IGJEO saktëson se në zona të veçanta si pjesa perëndimore e Shkodrës, verilindja e Kukësit dhe perëndimi i Dibrës, rreziku pritet të jetë gjithashtu i lartë.
Për sa i përket kushteve atmosferike, nuk parashikohen reshje shiu në asnjë zonë të territorit. Temperaturat maksimale do të shënojnë deri në 34 gradë Celsius në zonat bregdetare, deri në 37 gradë në vendet e ulëta dhe deri në 33 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa era do të fryjë e lehtë deri mesatare.
Apeli i autoriteteve për parandalimin e zjarreve
Nisur nga ky paralajmërim, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë vatra zjarri. Ai kërkoi në mënyrë specifike mosndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe moshedhjen e bishtave të cigareve në natyrë, duke theksuar se çdo vatër duhet të raportohet menjëherë pranë strukturave përgjegjëse.
Duke nënvizuar se parandalimi mbetet mënyra më efektive për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore, ministri Demo deklaroi: “Mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët. Me kujdesin e secilit prej nesh, mund të parandalojmë zjarret dhe të mbrojmë natyrën”.
Foto: Shqiptarja.com


