Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i është bashkuar qëndrimit të UEFA-s duke tërhequr zyrtarisht mbështetjen për një mandat të ri katërvjeçar të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Përmes një letre zyrtare dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, të firmosur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, institucioni shqiptar i futbollit njofton revokimin e mbështetjes së dhënë më parë për kandidaturën e Infantinos. Ky vendim vjen pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, duke u vënë në linjë me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar dhe me qëndrimet e shprehura nga federatat europiane lidhur me proceset e qeverisjes së institucionit botëror.
Përplasja e hapur mes UEFA-s dhe FIFA-s
Ky zhvillim vjen në një kohë kur përplasja mes qeverisë evropiane të futbollit dhe asaj botërore po thellohet. Edhe pse FIFA u tërhoq nga projekti për të shitur dhe privatizuar një pjesë të të drejtave të organizimit të Botërorit, UEFA, me mbështetjen e presidentit Aleksander Ceferin, kërkon largimin e Infantinos nga drejtimi.
Përmes një reagimi publik, UEFA ka saktësuar se pozicioni i federatave anëtare mbetet i pandryshuar dhe se bojkoti ndaj turneve të organizuara nga FIFA do të mbetet në fuqi për sa kohë Gianni Infantino është në krye. Institucioni evropian theksoi qartë se ka humbur besimin ndaj presidencës së Infantinos, një thelb të cilit UEFA vijon t’i qëndrojë besnik në mënyrë të vazhdueshme.


