Sistemi i tabelave input-output, i cili siguron një përshkrim sistematik dhe të detajuar të ekonomisë, është pjesë përbërëse e Sistemit Europian të Llogarive (ESA 2010) dhe plotësisht konsistent me parimet ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Sistemin e Llogarive Kombëtare (SNA 2008). Korniza më e re e llogarive të Bashkimit Evropian, ESA 2010, është implementuar nga shtetet anëtare në shtator të vitit 2014. Tabelat e burim-përdorimeve pasqyrojnë një përshkrim të detajuar të qarkullimit të produkteve dhe shërbimeve gjatë një viti, ku nga ana e burimeve paraqiten outputi, importet, marzhet tregtare dhe të transportit, ndërsa nga ana e përdorimeve paraqitet konsumi ndërmjetës, konsumi final, formimi bruto i kapitalit fiks dhe eksportet.
Publikimi dhe detajet e klasifikimit
Përpilimi dhe publikimi i këtyre tabelave bëhet 3 vite pas vitit të referencës (t+3), në të njëjtën linjë me metodologjinë dhe kërkesat e Eurostat. Tabelat e burimeve dhe përdorimeve me çmime korrente dhe çmime konstante përpilohen me frekuencë vjetore, ndërsa tabelat e input-output përpilohen çdo 5 vjet, specifikisht për vitet referencë që mbarojnë me 0 dhe 5. Përpilimi i komponentëve përbërës bëhet në nivel të detajuar dhe më pas agregohet në 89 aktivitete sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike Rev. 2 (NVE Rev. 2) dhe 90 produkte sipas Nomenklaturës së Produkteve sipas Aktiviteteve (NP 2008), nivel në të cilin kryhet edhe balancimi.
Procesi i balancimit makroekonomik
Procesi i balancimit të tabelës së burimeve dhe përdorimeve është një hap thelbësor, pasi kërkohet që të gjitha burimet e një vendi të shkojnë si përdorime nga ana tjetër. Në rastet kur diferenca ndërmjet burimeve dhe përdorimeve është më e vogël se 5 %, përdoret një balancim automatik i mbështetur mbi shpërndarjen në formë raporti të diferencës ekzistuese. Kur kjo diferencë është ndërmjet 5% dhe 10%, ekspertët mbështeten mbi një analizë dhe balancim manual të diferencave. Ndërkaq, në rastet kur kjo diferencë është më e madhe se 10 %, situata kërkon trajtim në burimin bazë të informacionit, duke rishikuar të gjitha të dhënat për të përcaktuar arsyen e diferencave, proces i cili mund të sjellë një cikël rrethor të vlerësimeve derisa diferencat të jenë brenda intervaleve të pranueshme.
Burimet e të dhënave dhe institucionet përgjegjëse
Për vlerësimet e tabelave të burim-përdorimeve përdoret informacioni i siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT ose i institucioneve të ndryshme kombëtare si Ministritë, Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Burimet statistikore përfshijnë Regjistrin e Ndërmarrjeve, Anketën Strukturore pranë Ndërmarrjeve, Anketën e Tregtisë me Pakicë, Anketën e Buxhetit të Familjeve, si dhe statistika të çmimeve, bujqësisë dhe mjedisit. Nga ana tjetër, burimet administrative përfshijnë pasqyrat financiare vjetore, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Bilancin e Pagesave, statistikat fiskale të administratës publike, statistikat e tregtisë së jashtme dhe librin e shitjeve dhe blerjeve. Konvertimi i tabelave me çmime bazë në tabela simetrike të input-outputit bëhet duke lëvizur outputin dytësor, ku ekzistojnë 4 mundësi në varësi të lëvizjes së këtij outputi për të arritur në industri homogjene.


