Një 32-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në liqenin e Pogradecit, pasi ka rënë aksidentalisht nga një varkë pedalinë rreth 150 metra larg bregut dhe nuk ka mundur të dalë më në sipërfaqe.
Sipas dëshmisë së personave që ndodheshin me të, i riu ishte në mjetin lundrues së bashku me dy shokë. Gjatë kohës që po kalonin në liqen, dyshohet se teksa po luanin me njëri-tjetrin, 32-vjeçari ka rënë në ujë. Të dhënat tregojnë se ai nuk dinte të notonte mirë dhe, pasi është trembur nga rënia e papritur, ka pasur vështirësi për të qëndruar mbi ujë.
Kërkimet nga shërbimet e emergjencës
Dy shokët që ndodheshin në varkë janë përpjekur ta ndihmojnë, por nuk kanë mundur t’i japin ndihmën e parë dhe ta nxjerrin nga uji. Pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje janë mobilizuar menjëherë shërbimet e emergjencës, të cilat kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit nga liqeni.
Ndërkohë, policia ka nisur verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e rënies së 32-vjeçarit në ujërat e liqenit.


