Deri në orën 17:00, në të gjithë vendin janë regjistruar 10 vatra zjarri aktive, me situatën më kritike të përqendruar në rrethinat e Tiranës, Krujës dhe Dibrës, ku flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës.
Flakë në Priskë dhe evakuime në Krujë
Gjatë orëve të pasdites, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Priskës së Madhe në fshatin Daias të Tiranës. Tymi ka mbuluar të gjithë zonën, ndërsa forcat zjarrfikëse të mbështetura nga një helikopter i Forcës Ajrore po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll. Për shkak se zona përbëhet kryesisht nga bimësi e dendur dhe shkurre, nuk raportohet për banesa të rrezikuara në këtë perimetër.
Ndërkohë, situata është përkeqësuar ndjeshëm në fshatin Abazë të Krujës. Për shkak të rrezikut nga flakët që po favorizohen nga era e fortë, bashkia ka urdhëruar evakuimin e banorëve për të shmangur rrezikun ndaj jetës dhe banesave. Në këtë vendngjarje po operojnë dhjetëra forca zjarrfikëse dhe helikopterë për të neutralizuar vatrën.
Zjarret në Lurë dhe qarqet e tjera
Në Lurë të Dibrës, zjarri vijon prej ditësh duke shkrumbuar sipërfaqe të tëra pyjore. Mbi 20 forca të emergjencave, në bashkëpunim me banorët e zonës, po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt shtëpive.
Përveç këtyre zonave, harta e zjarreve mbetet problematike në disa rajone. Vatrat aktive shtrihen në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, duke mbajtur në gatishmëri të plotë strukturat e mbrojtjes civile.


