Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Daiasit në Tiranë, ku flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi prej gati dy orësh.
Ndërhyrja nga ajri dhe rreziku për zjarrfikësit
Për të vënë nën kontroll situatën, në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore, konkretisht një Cougar dhe një Black Hawk. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të vatrës, duke krijuar momente kritike ku është rrezikuar edhe vetë jeta e efektivëve zjarrfikës që po operojnë në terren për shuarjen e flakëve.
Situata e banesave në zonë
Ndërkohë, raportohet se deri në këto momente nuk ka probleme për banesat përreth. Zona e përfshirë nga zjarri përbëhet kryesisht nga bimësi e dendur dhe shkurre, çka ka shkaktuar edhe një shtëllungë të madhe tymi që ka mbuluar zonën, por pa cenuar drejtpërdrejt zonat e banuara.


