Ngjarja e rëndë e shënuar së fundmi në Korçë, ku një 21-vjeçar humbi jetën si pasojë e një konflikti me një 20-vjeçar, ka rikthyer në vëmendje një plagë të rëndë sociale që po gërryen shoqërinë: përdorimin e lëndëve narkotike dhe lehtësinë e përdorimit të armëve nga të rinjtë. Pamjet e bëra publike pas ngjarjes, ku i dyshuari dhe bashkëmoshatarët e tij shfaqen duke pozuar me substanca të ndryshme dhe duke qëlluar me armë zjarri, ekspozojnë një realitet shqetësues që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Sociologia Maria Dojçe: Fenomeni ka prekur edhe shkollat 9-vjeçare
Për sociologen Maria Dojçe, rritja e rasteve të dhunës ekstreme dhe krimeve në moshat e reja nuk mund të shihet si një përgjegjësi vetëm individuale, por është shenjë e një anomie të të gjithë shoqërisë. Ajo thekson se dëshira e adoleshentëve për t’u afirmuar dhe për të rënë në sy i shtyn ata drejt sjelljeve devijante dhe përdorimit të drogës, duke u kthyer në një rrezik madhor.
Sipas sociologes, situata është mjaft shqetësuese pasi ky fenomen ka shtrirje të frikshme që po prek fëmijët që në moshë të hershme. “Më nuk kërkon një moshë, nuk kërkon një limit fillestar, sepse identifikojmë edhe raste të shkollave 9-vjeçare që fëmijët që nga e treta përdorin lëndë narkotike. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë tavan që të thoshim deri në këtë moshë, por vëmë re që çdo grupmoshë po preket dhe po bie pre e lëndëve narkotike,” deklaron Dojçe.
Mjeku Roland Lalaj: Lidhja mes shëndetit mendor dhe substancave
Nga ana tjetër, mjeku psikiatër në Korçë, Roland Lalaj, bën të ditur se Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon, e cila prej dy vitesh administrohet nga Spitali Rajonal i Korçës, trajton një numër të konsiderueshëm personash. Sipas tij, rreth 60% e pacientëve të depistuar shfaqin probleme të shëndetit mendor, si çrregullime të personalitetit apo të humorit.
Lalaj sqaron se rreziku më i madh vjen kur këto diagnoza kombinohen me përdorimin e substancave psikoaktive. “Nëse këta persona që kanë probleme të shëndetit mendor, të diagnozave të përmendura apo të ngjashme, por janë nën ndikimin e përdorimit të substancave, e keni parasysh substancat psikoaktive, atëherë është e mundur, është risku për të bërë vepra që bien ndesh me normat dhe moralin e sjelljes shoqërore”, shprehet mjeku.
Dëshmia tronditëse e 29-vjeçarit nga Korça
Pas këtyre statistikave fshihen drama njerëzore. Një 29-vjeçar nga Korça ka rrëfyer rrugëtimin e tij të dhimbshëm që nisi në moshën 13-vjeçare me hashashin, pas humbjes së nënës së tij. Në moshën 15-vjeçare ai nisi heroinën, ndërsa në moshën 18-vjeçare kokainën. Sot, ai po përpiqet të qëndrojë larg drogës përmes trajtimit me metadon dhe duke bërë punë të rënda fizike për mbijetesë.
“Në atë kohë që më vdiq mamaja, as një vit fillova drogën, hashashin 13 vjeç, nga mosha 15 vjeç fillova të kuqen, heroinën. Pas 3 vitesh pastaj, kur bëra 18, fillova edhe të bardhën, kokainën. Me heroinën kam gati 17 vjet. 29 jam. Tani po pi metadon, kam ca vite,” tregon ai, duke shtuar se ka punuar duke ngjitur dru apo rërë për shuma minimale prej 5 mijë deri në 10 mijë lekë të vjetra.
Kjo ngjarje dhe dëshmitë e ekspertëve shërbejnë si një thirrje e fortë për parandalim, mbështetje psikologjike dhe kontroll më të rreptë ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëve në komunitet.


