Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë reaguar pas një incidenti protokollar të ndodhur në Pustec, ku gjatë një aktiviteti kulturor me pjesëmarrjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar.
Qëndrimi i kryeministrit Rama dhe vlerësimi për kryebashkiakun Kolefski
Përmes një reagimi publik, kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen si një parodi domethënëse për botëkuptimet e ndryshme në rajon. Ndër të tjera, Rama deklaroi se “ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës”, duke nëvizuar se “Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”.
Gjithashtu, kreu i qeverisë vlerësoi qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, i cili kishte kërkuar paraprakisht luajtjen e himnit shqiptar por u injorua, duke kërkuar më pas ndjesë publike. Rama e cilësoi Kolefskin si një shtetar dhe qytetar të denjë, ndërsa theksoi se komuniteti maqedonoverior në Shqipëri vlerësohet si pasuri kombëtare me të drejta të plotësuara.
Cenimi i rregullave protokollare sipas Ministrisë së Jashtme
Paralelisht me kryeministrin, edhe Ministria e Punëve të Jashtme doli me një qëndrim zyrtar për ngjarjen e zhvilluar në territorin e bashkisë liqenore. Diplomacia shqiptare e cilësoi mënjanimin e simboleve shtetërore si një mungesë serioze respekti ndaj simboleve kombëtare dhe rregullave të protokollit institucional.


