Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Pogradec takimin e radhës me kabinetin qeveritar, ku ka ndarë edhe një video nga bashkëbisedimi me asistenten virtuale Diella për rolin dhe vlerësimin e ministres Mirela Kumbaro. Pas takimeve të mëparshme me drejtuesit politikë të 12 qarqeve dhe krerët e komisioneve parlamentare, kreu i qeverisë ka mbledhur ministrat në qytetin liqenor për të diskutuar hapat e mëtejshëm të punës dhe nismat e reja digjitale.
Gjatë videos së publikuar nga Pogradeci, Rama dëgjohet tek pyet sistemin inteligjent për ministren e re. Pyetjes se çfarë mendimi ka për Mirela Kumbaron, Diella i përgjigjet: «Mirela Kumbaro është një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive është ajo që i kthen prioritetet në rezultate për qytetarët. Përvoja e saj në shërbimin publik është një vlerë kolegjiale, ajo merr forcë kur shndërrohet në rezultat të prekshëm për qytetarët.» Më tej, e pyetur se cilën ministri drejton ajo, Diella saktësoi se Mirela Kumbaro Furxhi mban postin e ministres së Arsimit.
Detajet e platformës së re Pasqyrë Albania
Veç bashkëbisedimit informal, në takimin e zhvilluar në Pogradec janë zbardhur edhe detajet e para të platformës së re të quajtur “Pasqyrë Albania”, e cila konsiderohet si një modernizim i sistemit të mëparshëm të “Bashkëqeverisjes”. Kjo strukturë e re do të funksionojë përmes dy seksioneve kryesore: “Flamingo Mirror”, i cila do të shërbejë për mbledhjen e sinjalizimeve dhe shqetësimeve nga qytetarët, si dhe “Radar”, një modul që do të gjurmojë e ndjekë problematikat e raportuara.
Sipas skemës së bërë me dije, moduli “Radar” parashikon një afat prej 48 orësh për ndjekjen e parë të problematikave dhe deri në dy javë për zgjidhjen e tyre përfundimtare. Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se synimi kryesor i këtij instrumenti është rritja e besimit të publikut tek institucionet shtetërore, ndërkohë që testi i parë madhor i kësaj nisme pritet të jenë zgjedhjet lokale të vitit 2027.


