Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri është konfirmuar zyrtarisht në qytetin e Korçës, ku një 72-vjeçar ka rezultuar pozitiv pas kontrolleve mjekësore dhe analizave përkatëse. I moshuari ndodhet aktualisht i izoluar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin e nevojshëm shëndetësor.
Sipas burimeve zyrtare, 72-vjeçari, i cili jeton në qytetin e Korçës, dyshohet se është pickuar nga mushkonja gjatë kohës që qëndronte në një nga lulishtet e qytetit, ku kalonte pjesën më të madhe të ditës. Pas shfaqjes së shqetësimeve, ai i është drejtuar spitalit për ndihmë mjekësore, ku analizat e specializuara konfirmuan praninë e virusit. Ekspertët kanë testuar edhe personat e afërt të të moshuarit, por të gjitha analizat e tyre kanë rezultuar negative, duke e lënë këtë si rastin e vetëm të identifikuar deri më tani.
Masat nga ISHP dhe procesi i dezinfektimit
Në përgjigje të kësaj situate, epidemiologë nga Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur një hetim në të gjithë qarkun e Korçës për të verifikuar praninë ose jo të llojit të mushkonjës që transmeton këtë sëmundje. Gjithashtu, ditën e nesërme një grup specialistësh pritet të mbërrijë në terren për të kryer dezinfektimin e plotë të zonës ku ka lëvizur i moshuari.
Sëmundja e Etheve të Nilit transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Simptomat e saj fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella, por në forma më të rënda ajo mund të prekë trurin dhe të shfaqet si sëmundje me rrezik për jetën.


