Naum Veqilharxhi, i lindur si Naum Bredhi më 6 dhjetor 1797 në Vithkuq pranë Korçës, është një prej figurave dhe ideologëve të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. I ati i tij, Panajoti, kishte shërbyer si mbikëqyrës i harxheve në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë, prej nga familja trashëgoi edhe mbiemrin Veqilharxhi. Pas shkatërrimit të Vithkuqit në vitin 1819, familja u shpërngul në Rumani, ku Naumi mori pjesë në revoltat e vitit 1821 në Vllahi e Moldavi dhe më pas punoi si avokat.
Në qytetin e Brăilës, ai u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqipe. Në vitet 1824-1825, Veqilharxhi nisi punën për krijimin e një alfabeti origjinal me tridhjetëtre shkronja, i cili u botua për herë të parë në vitin 1844 në Bukuresht me titullin Fort i shkurtër e i përdorshim evëtar shqip. Ai shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe rrezikut të përçarjes mes shqiptarëve.
Ky Ëvetar gëzoi përdorim të madh dhe u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet e Berat. Më 22 prill 1845, Athanas Paskali i kërkoi me letër Veqilharxhit t’i dërgonte sa më shumë kopje që të kishte mundësi, ndërsa historianët e çmojnë botimin e këtij vëllimi si pikënisjen e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1845, Veqilharxhi iu përgjigj me një letër polemizuese edhe nipit të tij që i kishte quajtur idetë e tij kimerike, një dokument që radhiti në vija të përgjithshme idetë e kësaj lëvizjeje.


