Projekti kulturor “Një kitarë për Ziçishtin” është organizuar në fshatin Ziçisht me qëllim ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të traditës së serenatave. Serenata me kitarë dhe mbrëmjet e vallëzimit përbëjnë prej dekadash e shekujsh një prej elementëve kryesorë të trashëgimisë që përcillet brez pas brezi në këtë fshat të juglindjes.
Ruajtja e trashëgimisë dhe traditës së serenatave
Përmes këtij aktiviteti synohet që tingujt e kitarave dhe këngët karakteristike të mos zbehen, por të konsolidohen te brezat e rinj. Serenata korçare është tradita muzikore më e njohur e qarkut të Korçës, duke u kthyer në një pjesë të pandashme të jetës së përditshme dhe identitetit kulturor të kësaj zone.
Banorët e fshatit Ziçisht janë përpjekur me fanatizëm të ruajnë si serenatat ashtu edhe tingujt e kitarës. Çdo vlerë e tillë që i përcillet rinisë vlerësohet nga komuniteti si një shpresë më shumë për ekzistencën dhe gjallërimin e mëtejshëm të fshatit.


