Ka ndërruar jetë në një spital në Turqi 25-vjeçarja Ana Dyrmishi, e cila mbeti e plagosur rëndë si pasojë e një zjarri të rënë në hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.
E reja, e cila jetonte me familjen e saj në zonën e Shkozetit në Durrës, kishte pësuar djegie të rënda në rreth 85% të trupit. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Shqipëri, ajo u transportua me urgjencë drejt Turqisë për trajtim më të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve dhe monitorimit intensiv, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Detajet nga zjarri në hotelin në Vlorë
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, kur flakët përfshinë ambientet e hotelit në zonën bregdetare të Vlorës. Nga ky zjarr mbetën të plagosur gjithsej gjashtë persona, ndërsa disa prej tyre u detyruan të dilnin përmes ballkoneve të godinës për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit të dendur.


