Kërkimet për të miturën e zhdukur në lumin Drini i Zi kanë përfunduar me gjetjen e trupit të saj të pajetë mëngjesin e sotëm, në afërsi të urës së Drinit. Vajza 7-vjeçare humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e fortë e ujit mbrëmjen e djeshme në Gjoricë të Bulqizës, ndërsa katër pjesëtarë të tjerë të familjes u shpëtuan nga shërbimet e emergjencës.
Rritja e papritur e nivelit të ujit në lumë
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë kohës kur pesë të afërmit ndodheshin në lumë për t’u larë. Niveli i ujit është rritur në mënyrë të menjëhershme, ku dyshohet se shkak është bërë hapja e portave të një hidrocentrali në Dibër të Madhe. Rrjedha e rrëmbyeshme mori me vete të gjithë personat, por ndërhyrja e shpejtë e policisë bëri të mundur nxjerrjen e katër prej tyre.
Policia e Shtetit konfirmoi zyrtarisht gjetjen e trupit të fëmijës ditën e sotme rreth orës 09:45. Në njoftimin zyrtar thuhet: ” Në vijim të kërkimeve të nisura mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se disa fëmijë dhe një i afërm i tyre kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, ku 4 prej tyre u shpëtuan nga shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës, ndërsa një e mitur nuk u gjet, informojmë se: Sot, rreth orës 09:45, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 7-vjeçares, e cila dyshohet se është mbytur në lumë. ” Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.


