Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka nisur aksionin për verifikimin e nivelit të zhurmave dhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambientet e bashkive Korçë dhe Pogradec. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ky plan masash ka për qëllim garantimin e qetësisë dhe sigurisë publike për banorët dhe pushuesit gjatë sezonit turistik veror.
Matje me pajisje të posaçme dhe takime ndërgjegjësuese
Në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, shërbimet e policisë kanë kryer matje akustike me pajisje të posaçme në disa ambiente të hapura dhe të mbyllura në qytetin e Pogradecit. Nga kontrollet e realizuara sipas procedurës standarde, matjet kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar. Krahas verifikimeve teknike, policia ka zhvilluar takime me pronarë dhe administratorë subjektesh për respektimin e normave ligjore.
Orari i muzikës dhe denoncimi nga qytetarët
Përveç nivelit të akustikës, shërbimet e rendit po verifikojnë edhe zbatimin e fashës orare të muzikës në ambientet e hapura dhe zonat e banuara, e cila lejohet nga ora 11:00 deri në orën 24:00. Autoritete policore garantojnë se mbeten të angazhuara për një mjedis të qetë dhe ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu siguruar anonimat dhe ndërhyrje të menjëhershme konform ligjit.


