Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të sfidës ndaj Skënderbeut, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi ecurinë e deritanishme dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës kundër klubit historik të Korçës.
Starti i sezonit dhe situata e skuadrës
Duke folur për ecurinë e deritanishme, trajneri Dede e ka cilësuar startin e këtij sezoni si shumë pozitiv, teksa skuadra ka siguruar 6 pikë. “Starti i sezonit? Shumë pozitiv, 6 pikë. Golavarazhi është i kënaqshëm, është një plus i madh pozitiv, psikologjik për skuadrën”, u shpreh ai, duke shtuar se grupi vjen nga një periudhë e vështirë ku brenda 15 ditëve do të zhvillojë ndeshjen e pestë, çka ka sjellë edhe praninë e rotacionit, siç u pa në ndeshjen e fundit përballë Vorës.
Vlerësimi për Skënderbeun dhe mbrojtja e titullit
Sa i përket kundërshtarit të radhës, Skënderbeut, teknik i rrogozhinasve e ka cilësuar si një skuadër në moshë relativisht të re dhe pret një përballje të fortë në fushë. “Mendoj do jetë ndeshje shumë e luftuar. Ne jemi ata që duhet të mbrojmë titullin kampion, që çdo sukses që bëmë përpara të na japë të drejtë, dhe të gjithë të tjerët të na shohin me të vërtetë se kush jemi”, deklaroi Dede.
Sipas tij, mbështetja e tifozëve në shtëpi mbetet avantazhi më i madh për këtë sfidë, duke i dhënë entuziazëm dhe motivim shtesë lojtarëve për të treguar standardin e duhur në fushën e lojës.


