Një fluks i shtuar udhëtarësh dhe automjetesh ka shkaktuar radhë të gjata këtë të hënë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës në dalje drejt Greqisë, duke krijuar vonesa të konsiderueshme në lëvizje.
Shërbimi i reduktuar nga pala greke ngadalëson lëvizjen
Sipas informacioneve nga pika kufitare, autoritetet shqiptare po vijojnë punën me kapacitet të plotë për përpunimin e qytetarëve, ndërsa në anën greke shërbimi po kryhet me një numër të reduktuar sportelesh. Kjo ka sjellë ngadalësimin e procedurave dhe shtrirjen e radhëve të automjeteve thellë në territorin shqiptar në drejtim të doganës.
Qindra qytetarë shqiptarë që po udhëtojnë drejt shtetit fqinj janë përballur me pritje të gjata, duke shprehur pakënaqësi dhe duke kërkuar përshpejtimin e procedurave të kontrollit. Pika e Kapshticës, e cila ndodhet në bashkinë Devoll, është nyja kryesore kufitare e qarkut me Greqinë, ndërsa normalizimi i situatës pritet me shtimin e kapaciteteve përpunuese nga autoritetet greke.


