Qyteti i Korçës prej kohësh i ka harruar të moshuarit, pensionistët, njerëzit që vërtet mund të ecin më ngadalë se të rinjtë, por kanë përvojë dhe e njohin rrugën ku duhet shkuar, më mirë se kushdo tjetër!
Programi im ka në qendër mbështetjen e kësaj kategorie, duke forcuar rrjetin e shërbimeve dhe duke i kushtuar vëmendje kryesore vështirësive ekonomike të të moshuarve. Plakja e popullsisë është një kusht i ri social me të cilin duhet të përballemi: reagimi fillon duke rritur zërin e buxhetit për të moshuarit në Bashkinë tonë.
– Do të promovojmë çdo organizatë dhe nismë vullnetare që do të ofrojë shërbime mbështetëse dhe shërbime shtesë për të moshuarit. Kështu, synojmë të ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën në shtëpi, për të moshuarit që jetojnë vetëm ose i kanë fëmijët apo të afërmit e tjerë në emigrim;
– Shërbimet bashkiake për kategorinë e të moshuarve do të mbulohen nga punonjës të Bashkisë që do të shkojnë deri në shtëpitë e të moshuarve, për të kryer veprimet e ndryshme, duke zgjeruar shërbimin e mbështetjes institucionale të Bashkisë;
– Do të ngremë “Qendrat e moshës”, në bashkëpunim me bizneset private në qytet, të cilët përkundrejt lehtësimit nga detyrimet bashkiake, do të ofrojnë në mënyrë të vazhduar vakte ditore dhe kafe për të moshuarit që do të frekuentojnë këto qendra;
Do të bëjmë gjithçka që të moshuarit të vlerësohen si duhet dhe të trajtohen si një pasuri e çmuar e jetës sonë, jo si njerëz që institucioni i Bashkisë kujtohet që janë gjallë, vetëm në fushatat zgjedhore dhe votimet e qytetit!
“


