Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur sot, më 2 shtator, në aksin Vorë–Fushë-Krujë, ku si pasojë e përplasjes ballore mes dy automjeteve janë plagosur rëndë dy drejtuesit, midis të cilëve edhe një qytetar nga Korça. Sipas të dhënave të para nga vendngjarja, njëri prej të plagosurve dyshohet se ka humbur jetën gjatë transportimit për në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Rrethanat e aksidentit rrugor
Ngjarja ka ndodhur kur një autoveturë e llojit Benz, e cila udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës dhe drejtohej nga qytetari nga Korça, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar. Si pasojë e kësaj manovre, mjeti është përplasur ‘kokë më kokë’ me një automjet tip Land Rover, i cili lëvizte nga veriu në drejtim të jugut.
Përplasja e fortë ka shkaktuar dëmtime të rënda te të dy drejtuesit e mjeteve. Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë për transportimin e tyre drejt Spitalit të Traumës, ku personi i dytë i plagosur rëndë po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Foto ilustruese.


