Një drejtues me inicialet E. Q., 44 vjeç, është arrestuar nga policia në Korçë, pasi duke drejtuar një ambulancë në gjendje të dehur ka përplasur një të moshuar që po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në afërsi të bibliotekës së qytetit.
Shoferi transportoi të dëmtuarin në spital
Sipas të dhënave nga policia lokale, i moshuari po kalonte rrugën me biçikletë në momentin kur është goditur nga mjeti i ndihmës së shpejtë. Menjëherë pas aksidentit, vetë drejtuesi i ambulancës e ka transportuar të dëmtuarin në spital, ku ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e policisë rrugore, drejtuesi i ambulancës iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se ishte nën efektin e pijes alkoolike. Mbi bazën e këtyre rrethanave, policia kreu arrestimin e tij për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe shkaktim të aksidentit rrugor.
Foto ilustruese.


