Bashkitë janë partnerët më të afërt të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) në ndërtimin e strategjive të promovimit që pasqyrojnë panoramën turistike, kalendarin e eventeve dhe iniciativat që theksojnë identitetin dhe potencialin e çdo destinacioni në vend.
Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, znj. Zana Çela, zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli, ku u diskutua mundësia e organizimit të një festivali të dedikuar poetëve të mëdhenj Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci. Ky aktivitet synon të ndërthurë letërsinë, kulturën dhe turizmin, duke forcuar identitetin kulturor të qytetit dhe duke e pozicionuar Pogradecin si një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, znj. Çela theksoi rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve që angazhojnë rininë, për të pasuruar ofertën turistike dhe për të nxitur energjinë kreative që e karakterizon qytetin dhe zonat përreth.
Turi i AKT-së do të vijojë në bashki të tjera në mbarë vendin, me qëllim ndërtimin e një vizioni të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe qendrore.


