Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka forcuar masat e kontrollit dhe mbikëqyrjes përgjatë gjithë territorit të vendit, si pjesë e strategjisë për parandalimin e përhapjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR), një sëmundje infektive që ka prekur disa ferma në Shqipëri.
Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AKU ka vënë në funksion një regjim të posaçëm monitorimi në të gjitha pikat e inspektimit kufitar (PIK), si dhe në vijën e gjelbër të kufirit shqiptar. Institucioni është në gatishmëri të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (DPD) dhe Policinë Kufitare, për të ndaluar çdo përpjekje për import të kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi nga vendet e përfshira në ndalimin e hyrjes.
Paralelisht me këtë, është ndaluar përkohësisht edhe çdo formë e tregtimit dhe lëvizjes së brendshme të ruminantëve të vegjël në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim vjen si përgjigje ndaj situatës së krijuar në terren dhe synon të shmangë përhapjen e mëtejshme të virusit, që mund të shkaktojë dëme të mëdha në sektorin blegtoral.
AKU sqaron se e vetmja lëvizje e lejuar për kafshët e tipit dhen dhe dhi është ajo drejt thertoreve, gjithmonë e shoqëruar me certifikatën zyrtare shëndetësore veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar i zonës.
Këto masa janë pjesë e një strategjie të gjerë për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në vend, në një kohë kur rreziku i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse mbetet i lartë. AKU apelon për bashkëpunim të plotë nga të gjithë aktorët, veçanërisht blegtorët dhe tregtarët e kafshëve, për të garantuar një reagim të koordinuar dhe efektiv ndaj situatës.


