Policia e qarkut të Korçës ka kryer disa veprime operacionale dhe hetimore gjatë 24 orëve të fundit, për ngjarje të ndodhura në qytetet Pogradec, Maliq dhe Korçë.
Në vijim të konfliktit të ndodhur në një lokal në lagjen nr. 1 në Pogradec, ku mbetën të plagosur me sende të forta dy shtetas, Policia arrestoi në flagrancë gjashtë persona dhe shpalli në kërkim një tjetër. Të arrestuarit janë shtetasit M. Xh., A. K., D. Xh., E. Ç., N. Ç. dhe K. N., të gjithë banues në Pogradec, të akuzuar për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi E. A., 21 vjeç, është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, në Korçë u arrestua në flagrancë shtetasi S. Zh., pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Lidhur me aksidentin e ndodhur një ditë më parë në fshatin Nizhavec, Maliq, ku mbeti i dëmtuar një 21-vjeçar, Policia procedoi penalisht shtetasin J. D., 61 vjeç, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në fushën e krimeve ekonomike, një 32-vjeçare banuese në Itali, u procedua penalisht pasi ushtronte aktivitet tregtar në një lokal në Pogradec pa lëshuar kupon tatimor.
Po ashtu, janë regjistruar dy raste zjarresh: një në rrugën “Qukës-Qafë Plloçë”, ku dyshohet se një automjet i një firme private ka marrë flakë si pasojë e një defekti elektrik; dhe një tjetër në fshatin Moravë, Korçë, ku një rrjedhje gazi shkaktoi zjarr në banesën e një 81-vjeçari, i cili u dëmtua lehtë dhe u largua pas trajtimit mjekësor.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.


