Drejtoria Vendore e Policisë Korçë vijon punën për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke evidentuar dhe goditur paligjshmëritë në fusha të ndryshme. Gjatë orëve të fundit, janë kryer disa veprime procedurale si më poshtë:
Arrestim në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. N., 38 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga, duke shkaktuar dëme materiale.
Procedime për tregtim të mallrave pa fatura tatimore
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit J. R., 42 vjeç, dhe R. M., 48 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë verifikimeve të kryera në dy dyqane që ata administronin, rezultoi se tregtonin celularë dhe aksesorë pa dokumentacion tatimor.
Mashtrim për përvetësim automjeti – një person shpallet në kërkim
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec shpallën në kërkim shtetasin E. U., 29 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ky shtetas dyshohet se i ka marrë një automjet një 26-vjeçareje, nëpërmjet mashtrimit.
Mosbindje ndaj urdhrit të policisë – nis procedimi penal
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori për shtetasin G. N., 39 vjeç, banues në Bilisht. Ky shtetas, në qytetin e Bilishtit, nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për një kontroll të ligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.


