Një javë pas zhvillimit të operacionit të koduar “Matrikulli”, policia ka arrestuar 39-vjeçarin G. M., banues në Bilisht, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Korçës.
Sipas burimeve zyrtare, G. M. akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi apo transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Hetimet tregojnë se ky shtetas dyshohet se ka kontrabanduar nga Greqia rreth 100 bagëti të imëta dhe 20 gjedhë. Më pas, në bashkëpunim me katër veterinerë (të arrestuar më 23 korrik gjatë operacionit “Matrikulli”), i ka matrikulluar kafshët me matrikulla të siguruara nga zyra veterinare e Devollit.
Operacioni u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacione operative.
Materialet procedurale i kaluan tashmë Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme hetimore.


