“Aleksandre Stavre Drenova i njohur me nofkën Asdreni, poeti, publicisti, autori i himnit shqiptar është i harruar në fshatin ku lindi, në Drenovë të Korçës.
Muzeu i cili mban emrin e tij në qendër të fshatit nuk funksionon si i tillë, këtu brenda nuk ka asnjë material të Asdrenit, nuk ka asnjë ciceron, dera është e mbyllur e si për ironi mungon dhe energjia elektrike ”
Në ndërtesën e cila duhet të funksiononte si muze për Asdrenin, sot nuk mund të gjesh asgjë, përveç disa fotografive të rilindësve kombëtare.
Njëri nga banorët e fshatit, i revoltuar, tregon se në Drenovë nuk ka asnjë muze, pasi ndërtesa vetëm emrin ka të tillë.
“Nuk ka muze këtu, emri është muze. Muzeu duhet të ketë materiale, pas ’90 ikën materialet, muzeu i Asdrenit është kot. Materialet u prishën, kot ja kanë vënë emrin muze. Po që të vijnë njerëzit, duhet të ketë materiale. Çfarë të shohin njerëzit këtu? Brenda këtu nuk ka asgjë” – shprehet banori i Drenovës, Petraq Thimo.
Edhe kryeplaku i fshatit Drenovë pranon që ky muze është i harruar.

“Muzeu ka emrin “Asdreni” se asnjë gjë nuk ka nga periudha e Asdrenit. Është për të ardhur keq, në Drenovë nuk ka një muze të tillë. Ka qenë në 4 dhoma, e bënë komunë dhe gjithë materialet, u bë krim, i hodhën në lum, i morën fshatarët e i ruajnë në shtëpitë e tyre.
Njerëz vijnë nga brenda e jashtë por na vjen keq kur i sjellim, çfarë t’u tregojmë? Edhe sheshi quhet “Asdreni”, edhe busti nuk është ndonjë bust, këtu kemi ministri kulturash pa kultura se kanë lënë Asdrenin pas dore“, – thotë kryeplaku Kiçi Nasi.
Rikonstruksioni i muzeut Asdreni, bustit dhe sheshit në qendër të fshatit Drenovë janë premtime disa vjeçare të bashkisë Korçë, premtime që ngelen ende të tilla…



