Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë komunikimit të tij javor në rrjetet sociale se protestat qytetare nuk janë shuar as nga temperaturat e larta dhe as nga kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Akuzat ndaj qeverisë dhe çmimi i naftës
Duke theksuar shtrirjen e protestave në qytete të ndryshme, kreu i opozitës u shpreh se kryeministri po izolohet dhe po shmang problemet reale të ekonomisë. “As temperaturat e larta, as kërcënimet, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë ndaj Ramës,” u shpreh ai, duke shtuar se kreu i qeverisë nuk flet për çmimin e naftës, i cili sipas tij ka arritur në 230 lekë.
Berisha e krahasoi retorikën e kryeministrit me atë të së kaluarës, duke theksuar se ai mban fjalime nga bunkeri i tij. Sipas tij, anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste po distancohen nga udhëheqja. “Nuk e them se socialistët janë kriminelë, jo! Por udhëheqja e PS, ish-parti pune, ndërsa anëtarët e saj po djegin teserat e partisë së krimit,” deklaroi kreu i demokratëve.
Historiku politik dhe thirrja për qytetarët
Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike bëri një lidhje mes historisë së themelimit të Partisë Socialiste në vitin 1941 dhe qeverisjes aktuale, duke e akuzuar atë për krime gjatë 46 viteve të diktaturës. Ai pretendoi se qeverisja e sotme është një diktaturë autoritare e bazuar te korrupsioni, paratë e drogës dhe organizatat kriminale.
“Me këtë, nuk dua të them se socialistët janë kriminelë, jo, absolutisht. Por dua të them se udhëheqja e PS, ish-Parti Pune, ish-parti komuniste, qëndron në pushtet vetëm e bazuar në krimin, ndaj dhe meriton plotësisht të quhet parti krimi,” theksoi ai. Në mbyllje, Berisha përshëndeti qytetarët dhe socialistët që i janë bashkuar protestave në këto ditë vape, duke theksuar se ata po djegin dokumentin e asaj që ai e quan partia e krimit.


