Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, u zhvillua Ceremonia e Mirënjohjes kushtuar prof. dr. Ali Jasharit, me rastin e daljes së tij në pension, pas një karriere të gjatë pedagogjike dhe akademike që shtrihet mbi pesë dekada.
Profesor Jashari ka qenë një ndër figurat më të spikatura të arsimit të lartë shqiptar, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj, formimin profesional të mësuesve në detyrë dhe në zhvillimin e institucioneve akademike në hapësirën mbarëshqiptare.
Si studiues i gjuhës shqipe, puna e tij ka lënë gjurmë të thella në fushat e leksikografisë, frazeologjisë, semantikës dhe arsimit, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përparimin e studimeve gjuhësore.
Në emër të kolegëve dhe studentëve, profesorit Jashari iu shprehën mirënjohje e thellë për përkushtimin, profesionalizmin dhe vlerat njerëzore që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij, duke e bërë një shembull frymëzues për brezat që vijnë.
Ceremonia u organizua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, ku profesori ka dhënë kontributin më të madh të jetës së tij akademike.


